Pas kapjes së Salvatore Riina, komanda e Cosa Nostras i kaloi Bernardo Provenzanos. Provenzano është njeriu që, bashkë me Riinan, ka marrë pjesë në drejtimin e Mafies dhe ka urdhëruar vrasjet e shumë figurave të njohura, duke përfshirë edhe gjykatësit Falcone e Borsellino. Provenzano trashëgoi nga Riina një Cosa Nostra të dobësuar nga luftërat me shtetin dhe nga humbjet e njerëzve të tyre. Dalëngadalë dhe pothuajse në heshtje, Provenzano e ringre sërish, por këtë herë me shumë zgjuarsi dhe me paqe, pa pranuar të bëjë luftë me shtetin, duke preferuar të qëndrojë në hije dhe të jetë i padukshëm. Në këtë mënyrë, arriti ta bëjë më të fortë dhe më të rrezikshme Cosa Nostran. Për kumbarin e fundit në fakt nuk dihet pothuajse asgjë: të penduarit nuk tregojnë asgjë, nuk e dinë ku fshihet, shumë pak e dinë ç’fytyrë ka, sepse e vetmja foto e tij është bërë 50 vite më parë, kështu që, Bernardo Provenzano, kreu i një prej organizatave më të rrezikshme, është një fantazmë. Për ta kapur, policia italiane vendosi të krijonte një grup me hetues specialistë që kanë vetëm një qëllim, një mision: t’i japin fund përndjekjes më të gjatë në histori kriminale.